Buletin

Buletini i FSFE-së - nëntor 2014

Shkruar nga  më  

Mynih: faktet më me peshë se fjalët

Qyteti i Mynihut xhiron Software të Lirë në më tepër se 15000 kompjutera dhe si rrjedhojë ka kursyer mbi 11 milionë euro. Gjatë migrimit në Software të Lirë, ata konsoliduan sektorin e tyre heterogjen TI të shtrirë në 51 vende me 1000 nëpunës TI dhe 22 departamente TI. Me gjithë këto sfida, shumica e përdoruesve janë të kënaqur me migrimin dhe shprehen se nuk duan të kthehen te e dikurshmja (në Gjermanisht). Dhe krejt kjo ndodhi mu përpara hundës së qendrës së Microsoft-it për Gjermaninë.

Nëse nuk e pëlqeni suksesin e Software-it të Lirë në Mynih, ç’do të bënit? Mund të luanit me emocionet e njerëzve dhe të përhapnit fjalë se personat TI të Mynihut nuk po marrin parasysh kërkesat e përdoruesve të rregullt, dhe as ato të drejtuesve. Sigurisht që kjo duhet bërë turbulltas, me shpresë se do të ndillni ata pak zëra që janë gjithmonë të pakënaqur - por kjo është rrugë e lehtë për diskreditimin e përparimit të bërë tashmë. Kjo qe ajo çka ndodhi muajt e fundit në Mynih me vërejtjet e kryetarit të ri të bashkisë, Dieter Reiter (SPD, Social-demokratët) dhe zëvendësit të tij, Josef Schmid (CSU, Kristian-demokratët). Disa komentatorë kanë spekuluar rreth një lidhjeje me faktin se Microsoft-i po i kalon zyrat e veta nga Untershlashaimi në Mynih, dhe Reiter-in që pretendon se ndihmoi në këtë marrëveshje (në Gjermanisht). Meqë Microsoft-i qe taksapaguesi më i madh në Untershlashaim (në Gjermanisht), Mynihu do të përfitojë financiarisht nga kjo lëvizje.

Por duket se e kanë nënvlerësuar suksesin e Software-it të Lirë në Mynih. Ekspertë TI prej vetë partive të tyre politike ngritën zërin për t’i saktësuar dhe të tjerë kanë nxjerrë sheshit deklaratat e tyre ngatërruese. Pra komentet e bëra nga drejtuesit e bashkisë përfaqësojnë vetëm opinione individuale. Përkrahja politike për GNU/Linux-in në Mynih është e fortë, dhe paratë që kursen dhe do të vazhdojë të kursejë bashkia duke përdorur GNU/Linux, LibreOffice/OpenOffice, dhe Desktopin nga KDE kanë vlerë të madhe. Nëse Software-i i lirë mund të mbijetojë edhe pas një fushate shpifjesh nga drejtuesit e bashkisë, kjo tregon se ai ka të ardhme përpara. E dashur bashkësi e Software-it të Lirë: ji krenare dhe përhape fjalën! Por mos të të zërë gjumi, sulmi tjetër do të jetë më i stërholluar.

Politika Standardesh të Hapët në shkallë BE-je

Përgjigja ndaj shqetësimit përfshin një tjetër pikë kyçe: problemin me formatet e dokumenteve. Përgjegjësit TI të Mynihut vunë re se, në fillim të migrimit, shtetet federale dhe qeveria federale gjermane e vunë theksin te rëndësia e Software-it të Lirë dhe Standardet e Hapëta, por më pas nuk e ndoqën kurrë atë shteg.

Në Gjermani, mungesa e një Politike të qartë Standardesh të Hapëta është një pengesë serioze për përdorimin e Software-it të Lirë nga administratat publike. Vitet e fundit, vende të tjera europiane, si Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Suedia kanë bërë më shumë për promovimin e Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapëta.

Në shkallë europiane, ish kryetari i bashkisë së Mynihut i kërkoi Komisionit Europian të sendërtojë dy masa për t’i hapur rrugë pjesëmarrjes së Software-it të Lirë në projekte të BE-së: Së pari, për krejt gjedhet e dokumenteve që janë të passhme në formate Microsoft Office, të ketë të tilla edhe në formatin Open Document Text (ODT). Së dyti, krejt laptopët për prezantime në institucionet e BE-së të kenë gjithashtu të instaluar edhe një program që mund të trajtojë kartela Open Document Presentation (ODP). Bëhet fjalë për në 2011-n, pra organizmat europiane e kanë neglizhuar për një kohë të gjatë sendërtimin e politikave për Standarde të Hapët.

Kontroll përputhshmërie me Standardet e Hapëta

Kur institucionet marrin vendime lidhur me Standarde të Hapëta, ky është vetëm hapi i parë. Është e rëndësishme të kontrollohet ky vendim dhe t’u rikujtohet atyre. Më 2010-n, si veprimtari në kuadrin e Ditës së Lirisë së Dokumenteve, Anëtarët tanë Shok në Këln dhe Bon kontrolluan administratat federale gjermane pas një vendimi, sipas të cilit ato duhet të jenë në gjendje të marrin, përpunojnë dhe dërgojnë mbrapsht ODF. FSFE-ja pa se vetëm 2 nga 87 departamentet ishin në përputhje me rregullat federale për dokumente të hapët. Kjo nxjerr në pah rëndësinë e të qenit këmbëngulës dhe të mbikëqyrjes së sendërtimit të politikave të tilla. Për një sugjerim specifik se si brenda pak minutash mund të ndihmoni për këtë, shihni zërin “Aktivizohuni” të këtij muaji.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Ndreqni dokumentet e mi - ODF-ja në ente të BE-së

Institucionet e BE-së kanë ende mjaft për të bërë për të hequr pengesat ndaj përdoruesve të Software-it të Lirë. Tok me Open Forum Europe (OFE), redaktori juaj i këtij edicioni pati një takim për këtë, me përgjegjës të TI-së për Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Europian. Diskutuam mbi letrën tonë për formatet video dhe fushatën “FixMyDocuments.eu”. Kjo fushatë u fillua nga OFE në ndihmë të institucioneve të BE-së për vënien në jetë të vendimit të tyre për përkrahjen e Formateve të Hapët të Dokumenteve (ODF). Vullnetarë të FSFE-së e kanë përkthyer tashmë sajtin në shumë gjuhë, por tani është koha që të gjithë ju të veproni.

Do të donim të zbulonit institucione të BE-së që ofrojnë lëndë në formate jo të lirë në sajtet e tyre, pa i publikuar ato edhe në ODT, dhe mandej t’i njoftoni ato.

Më tej, OFE-ja nxit dhe do të përkrahë këdo që dëshiron ta përdorë platformën për të mbuluar administrata të tjera.

Falënderime për krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE