Buletin

Buletini i FSFE-së - tetor 2015

Shkruar nga  më  

Zgjedhjet në FSFE dhe lajme të tjera nga Bukureshti

Në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti në Bukuresht, FSFE-ja zgjodhi një ekip të ri drejtues për dy vitet e ardhshme. Reinhard Müller do të vazhdojë në rolin e tij si përgjegjësi i financave, teksa redaktori juaj do të marrë rolin e presidentit, me Alessandro Rubini-n në vendin e zv.presidentit. Rubini është inxhinier elektronik që merret me përudhësa pajisjesh dhe sisteme të trupëzuar. Ai ka qenë një nga anëtarët e parë të FSFE-së dhe tani së fundi është rikthyer për të mbështetur punën tonë. Presidenti i mëparshëm i FSFE-së, Karsten Gerloff i mirëpriti ndryshimet dhe shkroi rreth rrugës së tij në të ardhmen.

Qyteti i Bukureshtit ishte duke bërë nxemjen për Software të Lirë që disa javë para mbërritjes së FSFE-së, teksa segmente të administratës publike rumune qenë ftuar nga Rogentos Linux User Group të provonin dy shpërndarje GNU/Linux. Ky është hapi i parë drejt rritjes së ndërgjegjësimit mbi lirinë në software në gjirin e administratës publike të vendit. Pas mbylljes së punimeve të asamblesë së përgjithshme, e diskutuam këtë lajm dhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm me kontribues në Software-in e Lirë nga Rumania, veçanërisht me miqtë tanë të Fundația Ceata, fondacioni rumun për Software dhe Kulturë të Lirë. Vumë re se po kërkojnë grafistë me përvojë që të kontribuojnë idetë e tyre për një stemë të re për fondacionin. Ndaj, cilido grafist që dëshiron t’i vërë duart në punë për një kauzë të vyer, mund të gjejë më shumë informacion në faqen e tyre me njoftimin për parashtrime.

Si e vlerëson FSFE-ja raportin e Parlamentit Europian mbi të drejtat e kopjimit

Në korrik, Parlamenti Europian adoptoi rekomandimet e veta për reformë të të drejtave të kopjimit, skicuar fillimisht nga eurodeputetja Julia Reda, dhe FSFE-ja bëri publike vlerësimet e veta mbi raportin përfundimtar që qe miratuar në parlament pas një sasie të konsiderueshme ndryshimesh. Teksa raporti përfundimtar i Parlamentit përmban disa nga përmirësimet e ligjshmërisë në fuqi, ka mjaft probleme që do të duheshin rimarrë në shqyrtim, veçanërisht për sa lidhet me Software-in e Lirë. Veçanërisht, raporti nuk arrin të merret në mënyrë adekuate me Administrimin Dixhital të Kufizimeve (DRM) të cilat ende mund të pengojnë përdorimin e veprave që i përkasin fushës së përjashtimeve nga të drejta kopjimesh, dhe nuk ofron mundësi që programuesit e software-it të kontribuojnë punët e tyre në përkatësi publike.

Hapi pasues është publikimi nga Komisioni i propozimeve të tyre për reformë të të drejtave të kopjimit, diku para fundit të 2015-s. Ne i kërkojmë Komisionit ta shpjerë reformën e të drejtave të kopjimit edhe më tej dhe të sigurojë që asnjë përjashtim nga të drejtat e kopjimit, kurdo, të mos kufizohet nga shtrëngesa të zbatuara përmes teknologjisë, të ofrojë një grup plotësisht të harmonizuar përjashtimesh, dhe të hedhë në qarkullim nën një licencë Software-i të Lirë krejt punët e llojit që financohen nga paraja publike.

Pastrim i PDFreaders

Teksa përfundojmë përgatitjet për fushatën tonë PDFreaders ia vlen të përmenden veçanërisht pak shembuj të suksesshëm. Bashkërenduesi ynë gjerman, Max Mehl, shkroi në blog mbi suksesin e fushatës në qeverinë gjermane. Në fakt fushata qe kaq e suksesshme, saqë tani "Udhërrëfyesi gjerman mbi migrimin" përmban edhe një pasazh rreth nesh, ku thuhet "Nëse dokumentet PDF ofrohen publikisht, për hapjen e tyreautoritetet nuk duhet të rekomandojnë më vetëm Adobe Acrobat Reader-in, por, për shembull, të përdorin gjedhet HTML të ofruara nga FSFE-ja në sajtin e tyre për shkarkim lexuesish alternativë PDF-sh", si dhe t’u rekomandojnë nëpunësve shtrirjen drejt Software-it të Lirë, si alternativë e përshtatshme.

FSFE-ja ndihmoi edhe të nxirren në pah lexuesit më të mirë të PDF-ve nga Software-i i Lirë për sektorin privat. Stazhierja jonë Polina Malaja mundi të kapte bashkërenduesin tonë të dikurshëm të fushatës PDFreaders, Hannes Hauswedell, lidhur me bisedën e tij me Google-in diku nga 2011-a, rreth hedhjes në qarkullim si Software të Lirë të programit Pdfium. Më në fund, më 2014-n, kërkesa e Hanesit dha fryt. Tani, ne nuk po themi se fushata jonë shkaktoi hedhjen në qarkullim të Pdfium-it, por do të donim të mendonim se fushata jonë një rol e pati.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Kandidoni persona dhe projekte për Çmimin e Software-it të Lirë

Shpesh përdoruesit nuk e dinë se po përdorin Software të Lirë. Ndonjëherë na duhet ta deklarojmë shprehimisht këtë fakt. Për shembull, përditësimi i ri i WordPress-it përmban një skedë me një referencë për licencën GNU General Public License dhe katër liritë e Software-it të Lirë, duke ia bërë shprehimisht me dije bashkësisë së Wordpress-it rëndësinë e lirisë që mishëron software-i i tyre.

Por shpeshherë, shumë programues dhe projekte të mahnitshme të Software-it të Lirë nuk marrin mirënjohjen që meritojnë. FSF-ja po pranon kandidime për Çmimin e 18-të vjetor të Software-it të Lirë për persona dhe projekte që e kanë bërë botën më të mirë duke përdorur Software të Lirë. Ka dy çmime, një për persona që e kanë shpënë më tej lëvizjen, dhe një tjetër për projekte që kanë përmbushur një nevojë kyçe shoqërore përmes përdorimit të Software-it të Lirë. Ju lutemi, kandidatët tuaj parashtrojini para 1 nëntorit.

Falënderime për krejt vullnetarët, anëtarët shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE